Rosat e Robert Cooperit

Premte, 05 October 2018 10:26

Nga Veton Surroi


Si u bë që njeriu i cili hartoi marrëveshjen e prillit 2013 dhe e shpalli atë të jetë arritje historike, tani thotë se situata mes Kosovës dhe Serbisë nuk funksionon. Por si nuk po funksionon: A nuk u nënshkrua marrëveshja historike për normalizim më 2013? A nuk u integrua veriu? A nuk u njoh de facto Republika e Kosovës?

1.

Është ajo barsoleta e vjetër e rosave që sëmuren dhe për t’i shpëtuar, fermeri dëgjon këshillat e një mjeku magjistar. E dëgjon kur i rekomandon që t’i nxjerrë rosat në ajër të freskët në netët me hënë të plotë, pastaj kur nuk funksionon kështu, që t’i lajë me ujë të vakët para se të dalë dielli, pastaj kur nuk funksionon as kjo t’i lajë me ujë të ftohtë para se të perëndojë dielli... dhe pastaj receta të tjera me radhë derisa fermeri t’i thotë:

- Ti receta paske boll, por unë nuk kam më rosa për to.

Është recetë e mirë për diplomatë, në veçanti për ata që janë marrë me Kosovën dhe posaçërisht për Robert Cooperin, ish- ndërmjetës i Bashkimit Evropian, që shkroi marrëveshjen historike mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit, më 2013. Marrëveshja qe aq e mirë dhe aq historike saqë grupi socialist në Parlamentin Evropian nominoi Thaçin dhe Daçiqin për çmimin Nobel për paqe.

Për fat të keq, rrethanat në terren qenë më kokëforte se marrëveshja historike për normalizim, dhe Thaçi me Daçiqin nuk e fituan çmimin Nobel për paqe. Rrethanat qenë po aq kokëforte saqë nuk dëgjuan Thaçin se me këtë marrëveshje Serbia de facto e ka njohur Kosovën, Daçiqin se me këtë marrëveshje Serbia u rikthye në Kosovë dhe Robert Cooperin se me këtë marrëveshje Serbia dhe Kosova normalizojnë marrëdhëniet e tyre.

2.

Disa vjet pas kësaj marrëveshjeje fola në prani të Robert Cooperit në një konferencë në Oxford, duke përsëritur pak a shumë gjërat që ia kisha thënë edhe më herët, se marrëveshja nuk do të funksiononte pa parime më të forta udhëheqëse, se nuk ka “normalizim” të këtillë çfarë ai propozon dhe që madje, Serbia ka krijuar një avantazh të madh me Asociacionin e komunave serbe.

Ai mohoi disa prej gjërave dhe pastaj mori një pozicion neutral, të ndërmjetësit: nëse palët janë dakorduar për një gjë të tillë, kush jam unë t’u them se e kanë gabim.

Në njërën anë kishte të drejtë: nëse Hashim Thaçi dhe e dërguara e tij E.Tahiri pranonin me nënshkrim të tyre se Serbia ka të drejtë ta kontestojë pavarësinë e shpallur, pse duhet ta mbrojë Kosovën prej tyre Robert Cooperi?

Për më tepër, Cooper si diplomat i kishte dhënë vetes detyrë që të jetë asnjanës, ndodhi çfarë ndodhi. Dy vjet para se të arrinte marrëveshjen historike mes Thaçit dhe Daçiqit, që duhej t’u jepte çmimin Nobel për paqe, ai kishte udhëtuar në Bahrain, emirat të vogël në Gjirin Persik. Aty kishin shpërthyer demonstratat pro-demokratike dhe policia kishte reaguar e vrarë nja 20 protestues. Robert Cooper, si i dërguar i BE-së u deklaroi anëtarëve të Parlamentit Evropian: “Nuk jam i sigurt se policia ka pasur rast të ballafaqohet me këto çështje të sigurisë publike më herët. Nuk është e lehtë të kesh punë me demonstrata të mëdha, në të cilat mund të ndodhë dhuna. Është çështje e vështirë për policinë. Nuk është një çështje që ia qëllojmë edhe në shtetet më të mira perëndimore dhe ndodhin aksidentet”.

Pra, kishin të drejtë demonstruesit; demokracia është synim i mirë. Kishin të drejtë edhe policët që vranë demonstruesit; aksidentet ndodhin edhe në shtetet si Britania, Gjermania e Franca...

Vetëm se nuk ndodhin: 20 të vrarë në demonstrata paqësore në Britani, Gjermani e Francë mund të kenë ndodhur para njëqind vjetësh, por jo në demokracitë e sotme.

3.

Por Robert Cooper ndodhi të zgjedhë rol asnjanës edhe ndaj dimensionit kohor. Javën e kaluar botoi një editorial, në cilësinë e anëtarit të ECFR (Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme), në të cilin pak a shumë avokonte që t’u lihet e drejta Thaçit dhe Vuçiqit që të hulumtojnë zgjidhje për këmbim territoresh e popullatash. “Zgjidhja evropiane ka qenë që kufijtë të mbesin siç janë, dhe të bëhen jorelevantë. Kjo ka funksionuar mrekullisht për ne. Por po ashtu duhet të pranojmë se ne bëmë shumë lëvizje kufijsh para se të mbërrinim në atë pikë”. Rrjedhimisht, Kosova dhe Serbia, shqiptarët e serbët, mund të bëjnë nja njëqind vjet lëvizje kufijsh derisa të mbërrijnë në pikën ku bëhen evropianë, aty ku mbërritën francezët e gjermanët, pas dy luftërave botërore, e të konstatojnë se kufijtë duhet bërë jorelevantë dhe jo lëvizur ata.

Kosova dhe Serbia nuk bën të jenë evropiane sot. Mund të bëjnë këmbim territoresh e popullatash. Sipas portalit “Politico”, një përkrahës i kujdesshëm i këmbimit të territoreve e popullatave është “diplomati veteran Robert Cooper, ndërmjetësi evropian në dialogun e hershëm të pasluftës mes dy palëve. Pse?”.

Dhe përgjigjet Cooper: “Sepse gjendja e tanishme nuk funksionon”.

Por si nuk po funksionon: A nuk u nënshkrua marrëveshja historike për normalizim më 2013? A nuk u integrua veriu? A nuk u njoh de facto Republika e Kosovës?

4.

Në “Politico”, Cooper thotë se nëse veriu i Kosovës bëhet pjesë e Serbisë, kjo do të ishte njohje e realitetit dhe e dëshirave të shumicës së njerëzve që jetojnë aty”. Kjo, pasi që më 2013 u nënshkrua marrëveshja me të cilën u tha, edhe nga Robert Cooper, se veriu e njeh realitetin e Republikës së Kosovës.

Dje në Moskë, pas takimit me presidentin rus Putin, presidenti serb Vuçiq deklaroi se ndarja, këmbimi territorial dhe zgjidhje të ngjashme më nuk janë në agjendë, sepse kundër kësaj janë të gjithë: “shtetet e BE-së, shqiptarët, serbët”.

Tash Robert Cooper mund të sjellë një propozim të ri që e përkrah: daljen e rosave në mesnatë, larje me ujë të vakët në agim e të ftohtë para perëndimit të diellit. Derisa të ketë rosa.

© KOHA Ditore

Më shumë në këtë kategori « Nata e Krimit! Mundja e Perëndimit në FYROM »

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Aksident me vdekje në Shkodër

Aktualitet

Aksident me vdekje në Shkodër

Një aksident me vdekje ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Kryebushat, në aksin që lidh qytetin e Shkodrës me Bushatin. Viktimë e këtij aksidenti mësohet se ka qenë një grua, Shpresa...

Foto me kryq në ballë të universitetit, kush janë 10 pedagogët e Politeknikut që studentët kërkojnë vetting

Aktualitet

Foto me kryq në ballë të universitetit, kush janë 10 pedagogët e Politeknikut që studentët kërkojnë vetting

Ndërsa ka nisur marshimi i studentëve dhe i gjimnazistëve të Tiranës drejt Ministrisë së Arsimit, sot në ditën e shtatë të protestës, e cila do të jetë edhe më kulminantja...

Të burgosurit grek xhirojnë dhunën ndaj shqiptarit të dyshuar për vrasjen e studentes greke

Aktualitet

Të burgosurit grek xhirojnë dhunën ndaj shqiptarit të dyshuar për vrasjen e studentes greke

19-vjeçari shqiptar, Aleksandër Luca, që dyshohet se ka vrarë  studenten Eleni Topaludhi në Rodos ka rënë viktimë e rrahjes brenda burgut të Avlonës. Të burgosurit fillimisht filluan një sulm verbal me...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!