Çfarë s’pashë  

Hënë, 09 July 2018 18:01

Nga Qemal SAKAJEVA

Për asnjë arsye tjetër, thjeshtë sepse nipi është me baba suedez, për Suedinë kam njohje përmes leximit. Mirëpo, gjatë një udhëtimi atje, për të marrë pjesë në festimin e ditëlindjes së tij, vendosa të vëzhgoja për të gjetur andej diçka nga ato që në Shqipëri i kemi me tepri.

Me të marrë autobusin në aeroportin Arlanda të Stokholmit, përpara kishim për të përshkuar rrugën drejt veriut për në qytetin Sundsvall. Duke u rregulluar në vendet e caktuara, diçka e kryer dhe e paguar vetëm përmes aplikimit në mënyrë digitale qysh më parë (dhe s’ka mundësi tjetër), një shqiptari menjëherë i binte në sy: autobusin e drejtonte një grua rreth të 60-tave, një profesioniste e heshtur nën uniformën e shoferes. Natyrisht, kjo s’përbën kurrfarë habie, sepse qysh prej dekadash kozmonautet kanë fluturuar në hapësirë apo në SHBA ka pilote femra të avionëve më modernë. Por përditshmëria e jetës është tjetër gjë:  pas shpinës së shoferes, të gjithë udhëtarët, që nga ndejtësja e parë deri te e fundit, sapo zunë vendin e vet, lidhën rripin e sigurisë. Njëri nga ne e kishte bezdi shtrëngimin ashtu pas shpinores, por udhëtarja suedeze pranë e urdhëroi si të ishte shoferja: lidhe rripin!

Në Shqipëri, përveçse nuk gjen një drejtuese autobusi, në autobusët tanë nuk lidhet askush me rripin e ndejtëses. Madje njerëzit mbeten shpërfillës e kryeneçë për të mos u lidhur me rrip as nëpër vetura, edhe pse i ngasin si të çmendur.

Suedia është një vend i zgjatur nga jugu në veri dhe i mbuluar me pyje të dendur. Eshtë mbresëlënëse të udhëtosh përmes tyre. Që nga Stokholmi deri në Sundsvall, plot 395 kilometra përmes pyjesh të pafund, e enda vështrimin të mund të shihja sipërfaqe të dëmtuara, vatra pyjore të shkatërruara apo prerje katrahurë. Sundsvall, qysh nga fillimi i shekullit 20-të dhe sot, është qendra kryesore e industrisë së drurit të Suedisë.

Syri nuk të zinte as dëmtime të vogla, le më,  jo e jo, si për shëmbull shfarosja e pyjeve në Lurë e shumë kund tjetër, apo që policia të kapte kamionë duke vjedhur lëndë druri a dru zjarri, për të përfituar duke i shitur kontrabandë.

Sundsvall me rrethinat, qytet port në gjirin e Botnisë të detit Balltik, kishte diku 100 000 banorë. Ai është themeluar në vitin 1621 dhe plani i parë urbanistik qe krijur më 1642 nga Olof Bure. Qyteti është djegur katër herë. Së pari qe zhuritur nga ushtria ruse më 1721. Një herë tjetër është djegur më 25 qershor të vitit 1888, nga shkëndijat e avullores, sepse pati erëra të forta dhe stina qe e thatë. Por qyteti u ndërtua nga e para. Qendra e tij u bë e gurtë, e ngritur siç kishte qenë, duke ia ruajtur arkitekturën dhe kjo është pjesa më e bukur e tij. Madje edhe stacioni i trenit, një ngrehinë karakteristike e një shekulli më parë, të përgatit sikur po futesh në një vjetërsirë arkitekturore, dhe nis e mendon si shqiptar që, pse nuk e kanë rrafshuar, po e lënë  ende në këmbë? Por, jo! Nga jashtë qe e mirëmbajtur në mënyrën më të kujdeshme dhe t’i ndërmendte stacionet e trenit të kohës së lokomotivave me avull e diesel. Nga brenda ishte ruajtur po ashtu, veçse duke e modernizuar shërbimin për udhëtarët. Ishte një bashkëjetesë në harmoni  e historisë, teknologjisë dhe nostalgjisë.

Aty nuk shihje si në Shqipëri, që monumenteve arkitekturore të qyteteve u vihet rruspa,  rrafshohet historia dhe qytetet e ngjeshur me ndërtime e pa hapësira ngjajnë me njëri-tjetrin, njëlloj siç qytetarët kinezë të Revolucionit Kulturor dikur futeshin nën të njëjtën uniformë doku. Dhe kjo ka ndodhur e ndodh sepse pushteti jep leje prishjeje dhe ndërtimi, pastaj kompanitë i hedhin përtokë ngrehinat historike e mbi to lartojnë përbindsha.

Sandsvall është në formë patkoi, i shtrirë në kodra të ulëta, por zemra e tij është në rrafshinë, në grykëderdhjen e lumit Selanger, që rrjedh përmes qytetit dhe derdhet në detin Balltik. Eca përgjatë tij rreth dy orë vajtje e kthim. Gjithkund drurë të lartë në të dy brigjet, gjethet e degëzat e  të cilëve sikur peshkonin në ujin e thellë e të bollshëm të lumit. Dhe vështrova me ngulm, të shihja ndonjë shishe apo qoftë dhe një qese plastike. M’u lodhën sytë dhe nuk vërejta as edhe një të vetme për be. Në Sundsvall pihet ujë i cilësisë më të mirë nëpër çesma brenda shtëpive, dhe falas. Askund nuk tregtoheshin bidona uji të mëdhenj plastikë, përveç atyre fare të vegjël, që njerëzit t’i merrnin diku me vete kur u duhej. Kurse në mes të qytetit ishte një çesmë publike në monumentin e dragoi dhe mbi trupin e tij, fjala ujë ishte shkruar në disa gjuhë të botës, madje edhe rusisht e turqisht.

Qytetet e Shqipërisë janë të përmbytur me ndotje plastike të frikshme, aq sa askush nuk ia di cakun kësaj të keqe nga pikëpamja mjedisore e shëndetësore. Edhe pse mburremi se Shqipëria ka shumë ujëra, aq sa për numër banorësh vjen pas Norvegjisë (kështu thuhet e përsëritet), qytetarët shqiptarë e paguajnë ujin e  pijshëm - madjesi frëngu pulën - dhe nuk pijnë nga çema në kuzhinë, sepse nuk garantohet cilësia e tij, ndaj blejnë ujë në bidona plastikë, duke paguar kësisoj dyfish për ujin e pijshëm.

Qyteti është me vila dhe pa ngrehina të larta e monstruoze. Aty- këtu kishte mjaft shtëpi me parvazet e dritareve thuajse një metër mbi trotuar. Po ashtu dhe shitoret, supermarketet e kafeteritë. U enda e u enda gjithandej, dhe nuk gjeje një shtëpi me dritare me zgara hekuri dhe dyqane me qepena të valëzuar. E pamundur: në gjithë qytetin nuk kishte asnjë dritare me zgarë hekuri a dyqan me qepena me zhurmim të çjerrë, nuk të zinte syri një rast të vetëm të vetëburgimit pas hekurave të ndryshkur.

Në Shqipëri nuk ka as edhe një dritare të vetme në katin e parë që të mos ketë zgarë hekuri. Kaq absolute është kjo sa për këtë mund të vësh bast. Madje, duke qenë se banori i katit të parë i ka mbërthyer ato për t’u mbrojtur nga vjedhjet e grabitjet, njëherësh e ka bërë të pambrojtur banorin e katit të dytë, dhe zgarat kanë marrë përpjetë, në disa raste deri në katet e treta.

Suedia është në çatinë e botës për futjen e teknologjisë dhe zhvillimin e kanë përdorur gjithandej, madje kanë hequr në mbi 80 përqind mbajtjen e parave në xhep. Mbetesh pa hipur në autobusët qytetës, interurbanë si dhe në trena nëse nuk e blen biletën në mënyrë elektronike, po ashtu dhe marrjen e plot shërbimeve të tjera. Ky zhvillim marramëndës i përdorimit të teknologjisë duhet të kishte bërë që kabllot e llojllojshme të zgjateshin gjithkund e kudo nëpër hapësirat ajrore të qytetit, të kacavireshin faqeve të mureve të ndërtesave, të mplekseshin xhungë e lëmsh shtyllave të ndriçimit. Por asnjë kabëll të vetëm, mor po as edhe një të vetëm, sa për shenjë, nuk ta rrokte syri.

Në Shqipëri, xhunglat e kabllove janë të kudogjendura, të cilat i kanë emërtuar merimanga. Kjo përbën një shëmtim funksional gati të pazgjidhshëm, duke krijuar bashkëjetesën e shpifur mes teknologjisë së  zhvilluar - marrë nga bota,  dhe mënyrës më të pazhvilluar të dërgimit të saj te njerëzit - e zgjidhur nga ne.

Ai ka probleme Suedia?

Natyrisht, por një i huaj përpiqet të përqasë vendin e tij për gjëra që e mundojnë. Këto të Shqipërisë as që mund të mendohen në Suedi!

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Humbi jetën duke shpëtuar të fejuarën, ish-kryeministri mesazh për familjen e Ervid Palaj   

Aktualitet

Humbi jetën duke shpëtuar të fejuarën, ish-kryeministri mesazh për familjen e Ervid Palaj  

I riu Ervid Palaj humbi jetën mesditën e sotme në Vilun, pasi shpëtoi të fejuarën e tij dhe motrën nga mbytja. Mesazhe të shumta ngushëllimi kanë ardhur nga të gjitha anët.  Gjesti...

Turqi, 2 mijë notarë në garë në Bosfor

Globi

Turqi, 2 mijë notarë në garë në Bosfor

Në Turqi, më tepër se dy mijë njerëz zhvilluan sot gara noti nga Azia për në Europë, si pjesë e garës së përvitshme Ndërkontinentale të Bosforit. Notarët përshkruan ngushticën që lidh...

Shehu: Bushati bëri rolin e strucit

Politikë

Shehu: Bushati bëri rolin e strucit

Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu ka reaguar lidhur me deklaratat që bëri sot Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, Shehu thotë se...