Festa e 8 marsit, ditës së gruas, zgjon në vendin tonë, përveç urimeve të sinqerta tradicionale, edhe meditacione. Janë përsiatje të cilat të bëjnë të dalësh nga sferat e urimeve festive, në një kujtesë që ka të bëjë me dhembjen e veçantë të femrave shqiptare, mbi të cilat rëndoi - në të gjithë peshën e vet të dhimbshme - mizoria e diktaturës dhe, në kohët tona, ngurtësia e mendësisë së saj.
Është e vërtetë se në terrorin stalinist-enverist, statistikisht janë burrat ata që numerikisht hoqën vuajtjet gjer në asgjësim fizik e shpirtëror, më tepër se gratë. Por këtu nuk është fjala se sa ndër çiftet, burrat kanë qenë në burgje dhe gratë e tyre kanë qenë në internime. Sepse ato gra që nuk i braktisën burrat me vendim partie, u emërtuan armike, si burrat e tyre. Dhe fjalët “armik-armike” dihet se ç’ngërthenin në atë regjim tiranik. Pra, në vendin tonë edhe femrat, si për një induksion të pashmangshëm, kanë hequr vuajtjet për “fajësinë” e burrave të tyre. Një vuajtje, e shtrirë në mbarë popullin e shtypur. Një sëmundje, si kolerat mesjetare, që shtriheshin e zgjeroheshin hap pas hapi me vazhdimësinë e kohës.
Por, ndërsa në gjenocidin stalinist ishte Nadjezhda, e shoqja e Stalinit, që u orvat me shpirt e zemër që ta frenonte bashkëshortin nga një çmenduri vrastare, në vendin tonë Nexhmija u bë bashkëfajtore në krim e Enver Hoxhës dhe u shqua, kështu, për “mendjengushtësinë dhe egërsinë e pashoqe, çka bëri që populli shqiptar t’i vinte nofkën “Panterë e zezë”, - siç lexojmë në parathënien e I. Kadaresë të librit të F. Balliut, që u bë, në një kohë rekord, një best-seller.
Pasojat e asaj zezone, me në krye të shoqatës së Grave Nexhmije Hoxhën, ndihen edhe sot. Prandaj ajo festë e 8 marsit, që festohej edhe në botën demokratike, te ne i kishte të gjitha tiparet e një festimi nën përdhunë; ndërsa tani që gratë janë të lira, shkëmbehen dhurata dhe lule, por kjo ditë e shënuar është, njëherësh, edhe një ditë kujtese.
Libri që përmendëm, “Zonja e Zezë”, mund të quhet një enciklopedi e masakrimit të të drejtave njerëzore, me një protagoniste që është e përngjashme me Ledi Makbethin e Shekspirit. Aktualiteti i kësaj vepre është vazhdimisht në rritje sepse, për një paradoks të hidhur helm, kjo shoqe (vetëm ironikisht mund të quhet zonjë), gjen faqet e saj në dispozicion në disa prej gazetave tona, që duan të mbajnë ende gjallë nostalgjinë mortore të së kaluarës. Kur u kam thënë disa njerëzve të thjeshtë në Gjermani dhe në Austri, ku kam qenë, se te ne festohet diktatori Enver Hoxha në Pezë dhe e shoqja shkruan libra për kultin e tij të individit, dëgjuesi im thuajse nuk më ka besuar. Një ish-mësues në pension, më tha: - Jeni penguar në rrugën drejt Europës, atëherë!
***
Tani më duhet të hap atë që e quajta enciklopedi të dhembjes:
Në faqet 122-133 të botimit të parë, shohim vuajtjet e grave, nga një grua pa ndjenja, Nexhmija, së cilës iu larguan edhe shoqet e luftës: “Jo pak prej të njohurave bashkudhëtare të sa janë vrarë; për to ajo nuk na dëshmon asnjë molekulë dhembshurie, përsiatjeje apo meditimi. Të gjitha ato vajza të lëvizjes komuniste që feksnin si yje shprese për “një botë të re” të ardhme, kanë mbetur në kurthet e intrigave dhe të betejave të sajuara prej një mendjeje vrastare të pahetuar kurrë. Kështu ka ndodhur me Ramize Gjebrenë, Shejnaze Jukën dhe me një varg vajzash të tilla. Jetëshkrimit të stisur të Zonjës së Zezë jo vetëm që i mungon një shoqe e ngushtë bashkëluftëtare, por është vetë Nexhmije Hoxha që dallohet tani për sulmet tërë mllef ndaj vajzave dhe grave të dalluara të lëvizjes komuniste... Vuajtjen e Drita Kosturit, të Liri Belishovës, të Fiqrete Sanxhaktarit etj. nuk duken ta ngopin atë. Ka marrëdhënie të mira me Vito Kapon? Po, por nëse duhet të hyjnë të dyja në një derë, Vitos i lipset të mbajë këmbët, ndërkohë që Zonja e Zezë të ecë e të kalojë disa hapa para saj, përndryshe mund të pritet kushedi ç’furtunë “politike” apo “memorialistike”. Në asnjë moment të veprimtarisë së saj nuk rezulton që Nexhmije Hoxha të ketë mbrojtur, mbështetur a përkrahur ndonjërën nga shoqet e saj komuniste të cilat janë goditur, përndjekur apo burgosur nga partia e saj. Asnjë shenjë mirënjohjeje, solidarësie, respekti si edhe asnjë sinjal sado i vogël ndjenje për çdonjërën prej “shoqeve” me të cilat e nisi jetën e saj komuniste nuk vihet ré tek ajo. E ftohtë, e akullt, gojëqepur, duke bërë gjithnjë heroinën që mbron “vijën e partisë”, ajo nuk shfaqet asnjëherë si derë e çelur ndaj shoqeve të saj në hall apo në fatkeqësi (...), le më të jetë dëftuar e gatshme për këso ndihmash”.
“Askush nuk mund të gjejë një përgjigje, përveçse naive apo djallëzore, se përse Drita Kosturi duhej që për dhjetëvjetësha të tërë të vuante dhe të bënte një jetë nën dhunë të egër, të ashpër, prej shtetit për të cilin i fejuari dhe i dashuri i saj, Qemal Stafa, kishte dhënë jetën. Por edhe motrat e Qemalit nuk vuanin më pak, nën vetminë dhe nën harrimin zyrtar. “Gruaja e Komandantit” nuk kishte asnjë ndjeshmëri, sado të vogël, të ngihej e të kujtohej për fatin e këtyre grave (...) Të njëjtin qëndrim mbajti ajo për dhjetëra vite ndaj Liri Belishovës e cila, gjithashtu, kishte qenë gruaja e njërit prej shokëve të saj dhe të Enverit, Nako Spirut. Pra, as këtu s’ka asnjë sekondë dhimbjeje. Përkundrazi, Liri Belishova provoi, si nënë, njërën nga dhimbjet më të llahtarshme që e zënë njeriun: vdekjen e vajzës në moshën 20-vjeçare. Ajo i kërkon Nexhmijes që t’i japë leje, që të vijë të shohë vajzën në saj, në pavijonin kanceroz të onkologjisë. Veçse jo vetëm që nuk u lejua të vejë e ta shohë e t’i gjendet së bijës në agoninë e vdekjes, por struktura e Sigurimit të Shtetit, me porosi të veçantë, hartoi të gjithë skemën çnjerëzore që Liri Belishova të mos ndodhej pranë vajzës që po jepte shpirt. E, pra, Nexhmija, gruaja e të parit të Shqipërisë, ishte kaq e pandjenjë sa edhe burrat e tjerë stalinistë, të zinj, as shqiptarë, as njerëz.
Nexhmija ka gjakftohtësinë të kujtojë se Belishova kishte shfaqur një zgjuarsi dhe një karakter përmbyllës, si udhëheqëse. Dhe e kjo e kishte shtypur disi të druajturën Nexhmije. Nga ana tjetër edhe zonja Belishova e kishte njohur mirë Nexhmijen; e dinte se heshtja e saj, paaftësia e saj për gojëtarí (...) e bënin që ajo të lante veten me aftësitë për të fshehur duart. ...Nexhmija e dinte shumë mirë se Liri Gega ishte pushkatuar shtatzënë; se Fiqrete Shehu u torturua me torturat e dhunës fizike dhe psikike në përmasa që çdo xhelat i inkuizicionit mesjetar do t’ia kishte zili. Por Nexhmijes nuk i lëviz asnjë nerv.
...Ajo e kishte pasur inat Fiqretin (për aftësitë e saj) dhe zilitë e Nexhmijes nuk ishin shfryrje nevrastenike, por ktheheshin në projekte për të ndjellë një fat tragjik. Nexhmija shfaqte ndaj Fiqretit shenja xhelozie dhe urrejtjeje, por kishte kujdes dhe frikë prej saj. Këto ndjenja dhe përsiatje të thepta ajo i shtypi brenda vetes për vite e vite. Fiqreti ishte shumë e zgjuar, ishte pedagoge, ishte e arsimuar plotësisht; nuk punonte me miell hua. Nexhmije Hoxha i fshihte të metat e saj duke i mbuluar me heshtje dhe me njëfarë largese ndaj shoqeve dhe grave që qenë të bashkuara në një parti apo shoqëri. Tejmase e kujdesshme, kur shprehej në publik, sikurse shprehej shumë rrallë, ruhej prej gjithkujt, duke filluar prej vetë Enverit (...). Gratë që i vinin për ndihmë kishin përpara, në vend të një qenieje njerëzore, një karakoll vëzhgues të ngurtë. Ajo nuk përfshihet nga emocioni. Mbetet e paepur, e papërcaktuar dhe frigoriferike.
Shkruan në “kujtimet” e veta për bashkëshorten e Eqrem Çabejt, znj. Shyrete Turkeshi e cila, sipas vetë Nexhmijes, binte dhe paksa “kushërirë” e saj. Si edhe në rastin e Suzana Gërvallës, ajo krenohet se na i paska qenë krah znj.Shyrete kur i vdiq i biri! Pas kësaj thur një varg fjalish me të cilat kërkon të tregojë sesa shumë e paskëshin ndihmuar diktatura dhe vetë familja Hoxha profesorin e nderuar dhe të paharruar, njërin nga përfaqësuesit madhorë të shkencës dhe të kulturës kombëtare të shek. XX, Eqerem Çabejn. Me një ndjenjë të pështirë pronësie ajo thotë se i paskëshin dhënë leje profesorit që të kurohej jashtë! Por kush, vallë, ia kishte kufizuar lejen profesorit që të dilte e të kurohej jashtë? A nuk ia kishte kufizuar vetë diktatura? Ajo diktaturë që Eqerem Çabejt nuk ia ndau Sigurimin e Shtetit as në apartament, të cilin ia mbante nën përgjim deri me mjetet e teknikës së kohës? Dhe ia bëri dosjen 1000 faqe. Nexhmija e di shumë mirë të gjithë këtë praktikë të mbikëqyrjes së Çabejt dhe përpiqet të mbulohet, se kishte hyrë në derën e Turkeshëve. Por edhe këtë e ka më zi akoma. Sepse Shyrete Turkeshi ishte një e re komuniste e po atij Instituti Femëror, ku mësonte Nexhmija. Shyqyretja ishte partizane, por partia e Nexhmijes dhe e burrit të saj e arrestoi dhe e mbajti dy vjet në burg. E motra e Shyretes i vajti Nexhmijes dhe i qau hallin e nënës, tek e cila Nexhmija kishte ndenjur, shkuar e ishte rritur si vajzë Dibre. Gruaja e Komandantit i ishte përgjigjur: ” Nuk më vjen keq as për Laken! Kur s’mendoi Shyreti për të, përse të më vijë keq mua?”. Asaj nuk i kujtohet dot se Shyerete Turkeshi- Çabej, të cilën ajo e la në burg dikur, i shkonte të vëllait të Nexhmijes, Fehmiut, të sëmurë në Romë, për ta vizituar në spital.
Nexhmija ka qenë për vite të tëra kryetare e organizatës së Gruas të Shqipërisë. Dihet fati i grave bashkëluftëtare të saj, si Flora Dishnica, Naxhije Dume, apo e shoqja e Kadri Hoxhës e sa e sa të tjera. Po të marrësh gratë e krahut tjetër politik, “gratë armike”, që kishin qysh në krye të herës mendime të kundërta me komunistët, atëherë do të shohësh një tablo të frikshme: me gjak e me mish njeriu. Për 50 vjet janë dënuar me burgim 7467 gra, janë internuar 10792 gra, ndërsa janë dëbuar 11536 familje. “Është bërë edhe ndonjë gabim...” - guxon e thotë sot Nexhmije Hoxha! Ndërsa, po ta mendosh sot pak më thellë çështjen, del në përfundimin që Shqipëria, në 50 vjetët e komunizmit, të jetë vendi më kriminal sa i përket trajtimit të gruas dhe femrës.
Po ata mijëra e mijëra të dënuar e të pushkatuar, që linin prapa nëna, motra, gra, të cilat do të mbanin peshën e familjes?
Me çfarë qetësie u burgos dhe u çua drejt vdekjes Marta Doda, njëra nga bashkëpunëtoret e Luigj Gurakuqit? Për të vajtur, pastaj, te saga e vuajtjeve të Musine Kokalarit. Musine Kokalarin e kishte kërkuar për bashkëshorte Enver Hoxha. Ishte refuzimi i saj që do të bënte të shpërthente mekanizmi i tragjedisë mbi familjen e Musinesë. Dy vëllezër iu pushkatuan në masakrën e njohur të Hotel Bristolit ditën e hyrjes së “çlirimtarëve” në Tiranë, pa akuzë, pa gjyq, vetëm si dy emra në listën e gjatë të parapërgatitur diku, “në mal”. “Bashkëshortja” Nexhmije sigurisht që nuk i tha njeriu që zotëronte listat e hakmarrjes. - Mbaje dorën, more burrë! Mangadale, se kemi fëmijë edhe ne! Se janë shokët, shoqet tona, janë shqiptarë... Jo. Nuk ekzistonte një grua e tillë pranë Enverit”.
Në Drejtorinë e Sptalit nr.2, në Klinikën Onkologjike, Reparti i Kirurgjisë, Tiranë, është gjetur letra e Musinesë, kuintesenca e së cilës, është: “S’ka vend”!
***
Në vendin tonë 8 marsi nuk kujtohet vetëm me urime, lule dhe dhurata, si në vendet e lumtura. Kujtesa na rri si një shëmbëllim tragjik në memorie. Dhe kjo do ta lëndohet ashpër, për sa kohë nostalgjikët dhe përdhunuesit e personalitetit të grave (si ER-ja) do t’i kemi si mëtues të pushtetit antidemokratik, që synojnë të shpërfillin votën e lirë dhe të sundojnë vendin arbitrarisht, siç bënë pas 1997-s.
|  Komente |