Ekonomia shqiptare ka vijuar rritjen e qendrueshme edhe gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti. Publikimi më i fundit i Institutit të Statistikave flet për një rritje të prodhimit të brendshëm bruto në nivelin 5,3 për qind për periudhën prill-qershor të këtij viti krahasuar me atë të një viti më parë. Sipas INSTAT-it rritjen më të madhe e ka njohur sektori post-telekomunikacione me 18,1 për qind për shkak të rritjes së volumit të komunikimit në sajë të uljes së tarifave, kategoria shërbime u rrit me 15,9 për qind ku bëjnë pjesë shërbimet shëndetësore, arsimore apo ato financiare, po ashtu rritje të konsiderueshme ka njohur edhe sektori i ndërtimit me 9.8 për qind. Specialistët e INSTAT-it sqarojnë se rritja ekonomike është reale e zhveshur nga efektet sezonale. Krahas sektorëve që njohen rritje gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, sipas INSTAT ka pasur edhe degë të ekonomisë që njohën një ecuri negative, të tilla si industria dhe tregtia me respektivisht minus 6,3 dhe 3,2 për qind.
Edhe prodhimi bujqësor i vendit, në mënyrë surprizë ka qenë drejt rritjes gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009, prodhimi bujqësor, në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë është rritur 2,7 për qind dhe me 0,3 për qind kundrejt tremujorit të parë të 2009. Sipas INSTAT, ky tregues pason atë të arritur një tremujor më parë, kur prodhimi bujqësor, në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë është rritur me 3,5 për qind.
|  Komente |