LAJMET KRYESORE

Profili/Edi Rama, lustraxhiu i ri e i vjetƫr i Sigurimit tƫ Shtetit

12-01-2009 / Gazeta 55Profili/Edi Rama, lustraxhiu i ri e i vjetƫr i Sigurimit tƫ Shtetit

Riciklimi i miqve të dikurshëm të Ministrisë së Brendshme, i partnerëve në ekipin e basketbollit, bashkëpunimi si vizatimor në revistën e Sigurimit, por edhe respektimi i trashëgimisë sigurimse të familjeve të Nexhmije Hoxhës, Spiro Kolekës, Bilbil Klosit e Myslim Pezës, nëpërmjet Dashamirit, Valentina Leskajt, Diana Çulit apo Skënder Gjinushit paraqesin linjën e re politike që po ndjek Edvini në krye të Partisë Socialiste

Miqësia e lidhur e pandryshuar me dy persona, nga vitet ’80 e deri sot ndoshta mund të mendohet se është më e thellë se kaq. Njëri nga këta me mbiemrin Klosi, kishte domethënie të madhe pasi bilbili i tij, ishte njëri prej kampionëve më tipikë të shkeljes së të drejtave të njeriut gjatë viteve të regjimit komunizëm, duke u marrë jetën e duke i çuar në plumb e litar gjithë kundërshtarët e regjimit që thjesht nuk u pëlqenin atyre. Tjetri ishte një person me mbiemrin Peza. Edhe ky me domethënie të madhe, pasi myslimi i tij ishte njëri prej atyre personave që kishin shkaktuar lëndimet më të mëdha, duke çuar në plumb sa e sa njerëz kundërshtarë të komunizmit, para apo gjatë luftës. Idili i kësaj shoqërie të pashuar ishte me të vërtetë ndër më të çuditshmit e mund të shtyjë kureshtjen e cilitdo personi të interesuar.
Edi Rama, i quajtur dikur “Edvin”, ishte një njeri që i përkiste bijve të nomenklaturës së lartë të Partisë së Punës së Shqipërisë. Babai i tij ishte deputet i përjetshëm i Durrësit në Kuvendin Popullor, gjithnjë në krah në Nexhmije Hoxhës, skulptor i privilegjuar i atij regjimi. Si garanci e kësaj lidhjeje nga gruaja e tij, shërbente afërsia fisnore me Spiro Kolekën, njërin prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Enver Hoxhës, i dalluar përjetësisht për masakrimin e intelektualëve, deri në hakmarrje personale siç ishte rasti i inxhinier Bumçit në vitet ’70. Jo më kot në dhjetor 1990 kur plenumi i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, diskutonte në kushtet e kapitullimit të plotë të regjimit, pranimin e pluralizmit politik, Spiro Koleka votonte kundër.
Dhe pinjolli i kësaj familjeje, Edi Rama, nuk do ta zhgënjente xhaxhi Spiron. Ah, sikur ky të ishte gjallë. Edi shkoi në krye të partisë që themeluan Miladini e Dushani dhe u bë ustai i nostalgjizmit me përkujtime të “netëve të bardha” për “ditët e zeza”, me pritje - përcjellje goranësh e bregoviçësh, me ngritje lapidarësh e qoshka nostalgjish. Një piktor që më tepër i ngjante një bojëtari, nga ata të komunaleve qytetëse të dikurshme, një njeri i bërë pedagog jo për shkak të aftësive por për arsye të hapjes së rrugëve nga nomenklatura e lartë komuniste, në ngjarjet e 1990, si duket ishte në krye të zbatimit të një vijë sjelljeje të mirëshkruar. Shkëlqimi i tij si vizatimor në revistën “Në shërbim të popullit” që shpërndahej për të gjithë pajtimtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kursantët e shkollës së Saukut, ishte njëra pjesë e dukshme nga jeta e Edi Ramës. Përveçse një zhurmëtar i tërbuar kundër demokracisë së vendosur në vend në vitin 1992, hartues i “gjetjeve artistike” të bunkerëve me plaçka të vjetra në ekspozitat e huaja, një politikani që paraardhësi i tij në parti e quante “thonjpapreri”, me veshje unisex, jo vetëm për vëthin që përdorte, në prillin e vitit 1998, Edi Rama u thirr nga emigrant me vëth e thonj të paprerë për të marrë në dorë (lexo shkatërruar) kulturën e Shqipërisë. Për një kohë të shkurtër do arrinte të kishte kundër gjithë artistët e vendit, të niste projekte si “kthimi në identitet” për bojatisje godinash qeveritare, dosjet e të cilave ngelën bodrumeve të prokurorisë shqiptare pa marrë kurrë një zgjidhje. Si kryetar i bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, do të mbahet mend për shkatërrimet e mëdha urbanistike në një qytet ku rrugët janë bërë të ngushta dhe lartësia e objekteve caktohet nga dëshira e kryebashkiakut.

Çfarë e kishte Edi Rama, Dashamir Myslim Pezën?

Çfarë e lidhte Edi Ramën - dhe çfarë e lidh edhe sot e kësaj dite - me Dashamir Myslim Pezën? Është një pyetje që mund të duket jo e re, por që sigurisht nuk i shterron përjetësisht përgjigjet e veta. Në radhë të parë, Dash Peza - për publikun që nuk e njeh - ka qenë një punëtor operativ i Degës së Pestë të Sigurimit të Shtetit që nga fundi i vitit 1981. Pastaj nga viti 1986 kaloi si efektiv i Ministrisë së Punëve të Jashtme (natyrisht jo për diplomaci). Në rast se miku më i afërt i Edi Ramës, Dashi do të kandidojë për Partinë Socialiste të “Babës”, atëherë atij do t’i duhet të vërtetojë pastërtinë e figurës, duke u përballur me faktin kokëfortë të të qenit oficer ilegal i Sigurimit të Shtetit. Kjo gjë do ta vinte qartësisht në siklet mikun e tij Rama. Lidhja e tij me Edi Ramën ishte vërtet interesante, saqë në refleksionet e tij të 1991-t, Edvini dhe miku i tij nuk e përmendin shembullin më klasik të injorancës komuniste, Myslim Pezën.
Le të mos harrojmë se në fillim të vitit 1991 kur miku i Ramës, Dashamir M. Peza kërkonte të udhëtonte jashtë Shqipërisë, i ndalohej pasaporta pse kishte 85 mijë lekë detyrime.
Por fati e solli që Edi Rama të bëhet pasardhësi i partisë së Enverit e Ramizit, e të mëtonte “politikën e re” që nis e festohet me 29 nëntorin e Dushanit e Miladinit, këtë “natë të bardhë” të ditëve të zeza, e vazhdon me portretet e Enverit në Pezë, e veprime të tjera të këtij lloji.
Nëse Ramës i duhet të mbrojë sot krimet e diktaturës komuniste, ai do shfaqet përherë e më shumë si përfaqësues i politikës së vjetër. I mbyllur në godinën ku dikur ka qenë Komiteti i Partisë së Punës për Tiranën, Rama së paku duhet të kujtojë se aty merreshin vendimet politike komuniste që u përçoheshin organeve të punëve të brendshme.
Partia Socialiste është trashëgimtare e Partisë së Punës dhe mbrojtëse e idealeve të saj. Të gjithë ata që përbënin pushtetin e saj, gjetën strehë dhe vegjetim tek Partia Socialiste. Prokurorë, hetues, gjykatës, oficerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk ishin vetëm militantë, por baza biologjike e Partisë Socialiste.
Pikësëpari e mbi gjithçka, Partia Socialiste mbron trashëgiminë komuniste, të aparatit të saj kriminal dhe pasoja e saj mbi shqiptarët. Të gjithë ato që preken nga ky ligj janë mbështetësit e Partisë Socialiste të lidhur me krimin e djeshëm. Hetues, gjykatës e prokurorë, janë sot në vende ku reklamojmë “politika të reja” apo fjalë të përgjithshme “ta harrojmë të kaluarën”. E po këta “harraqë”, nuk përtojnë të bredhin pas “epopeve” të Luftës së Dytë Botërore ku komunizmi i zi i Shqipërisë i kishte rrënjët, pikërisht aty ku nis nostalgjizmi i tij.
Por po të shihet pak më nga afër droja që oborri politik i Edvinit ka nga hapja e dosjeve.
Kryetarja e grupit kuvendor të Partisë Socialiste nuk mund të jetë dakord me hapjen e dosjeve të krimit. Në radhë të parë për shkak të bashkëshortit të saj që ka punuar në organet e punëve të brendshme. Në radhë të dytë për shkak të trashëgimisë komuniste, sa familjare aq edhe krahinore. Në radhë të tretë ajo trembet nga “Luani” që vjen brenda radhëve të saj familjare.
Nga “socialdemokratët”, Diana Çuli mbron trashëgiminë e babait të saj Jorgo Çuli, ish-drejtor i një dege në Hetuesinë e Përgjithshme. Për të mos folur më pas për mbrojtjen e veprimtarisë së vet që nis me ekspertiza e gjëra të tjera të këtij lloji. Edhe kjo qëndron afër kryetares së grupit socialist si aktiviste e dikurshme e masave që tubonte gratë revolucionare të kohës.
“Socialdemokrati” tjetër Skënder Gjinushi, si i vetmi deputet i mbetlur nga legjislatura e fundit komuniste, si pjesëtar i kabinetit të fundit komunist, si bir gjenerali i atij regjimi, e ka për detyrë t’i mbrojë krimet e komunizmit, ato krime që gjatë mandatit të Edi Ramës i kanë përjetësuar shkaktuesit e tyre në emra rrugësh e nostalgji të tjera neveritëse.
Nëse vazhdojmë me të tjerët, bilanci do të na dalë shumë i keq. Gjithandej ose ata vetë, ose baballarët e tyre. Ndryshimi është se tani flasin për “politikën e re”. E megjithatë janë po ata, të vjetrit e dikurshëm, pavarësisht jelekëve borgjezë që kanë veshur apo xhelit që u kanë hedhur flokëve.


Nëntor 1983, Edi Rama ilustrator i revistës së Sigurimit të Shtetit

Në revistën “Në shërbim të popullit” vizatimet tij tregonin luftën kundër “diversantëve të imperializmit amerikan”

Atë ditë studenti Edi Rama, ishte tej mase i gëzuar. Atë ditë të ftohtë nëntori 1983, i kërrusur për shkak të gjatësisë e brishtësisë së moshës, duke ecur në shkallët e redaksisë së revistës “Në shërbim të popullit” – organ i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai mbante në duar vizatimin e tij që lustronte shkrimin e një autori mbi një ngjarje me diversantë të quajtur “Shokë lufte”.
Ishte vetëm 20 vjeç kur kishte nisur të mallëngjehej tej mase nga tregimet me punëtorë operativë, diversantë, shkelës kufiri, armiq të klasës, etj. Përditë ai dëgjonte nga babai i tij që ishte dhe deputet për fitoret e lavdishme të Partisë së Punës dhe udhëheqësit të saj legjendar, shokut Enver. “Duhet të kontribuoj edhe unë, kudo që të jem” – thoshte ai vazhdimisht. Këto tregime sa vinin e i forconin urrejtjen ndaj armikut të klasës, për të cilin edhe ai ndjehej i sigurt se duhej goditur.
Dhe kështu djaloshi problematik i Institutit të Lartë të Arteve, përveç punëve të tjera, nisi të bëjë vizatime për heroin e heshtur, për punëtorin e palodhur operativ, diversantët, etj.
Tregimi i botuar në revistën e MPB-së nën ilustrator, ishte një rast tipik i urrejtjes ndaj të huajve të kategorizuar si “imperialistë”, ku në radhë të parë ishin amerikanët. Sipas tregimit “imperialistët amerikanë” kishin përgatitur “diversantët shqiptarë” të cilët i kishin hedhur në një shtet kufitar me Shqipërinë. “Mersin F.” Në tregim quhej “asi i shërbimit të huaj”. Tregimi nis me “shpjegimin në hetuesi” të një “diversanti” e vazhdon me hollësi të tjera, sipas mendimit tonë të panevojshme për t’u përsëritur. Edi Rama është entuziazmuar nga kjo. Ka marrë lapsin (apo penelin) dhe ka hedhur në kartë dy pjesëtarë të forcave të ndjekjes që ndiqnin “diversantët” që dërgonte “imperializmi amerikan”. Përballë figurave të vrazhda të dy ndjekësve, qëndronin “hijet e zeza” të “diversantëve” të dërguar nga amerikanët që paraqiteshin më të zinj se nata pasi ato donin të prishnin “parajsën socialiste”.
Pikërisht këtu e ka nisur edhe kontributin në fushën e “medias”, kryetari i sotëm i Partisë Socialiste, ish-basketbollisti i “Dinamos”, Edi Rama. Dhe jo media dosido, por në organin që ishte nomenklaturë e Sigurimit të Shtetit dhe një mjet i fuqishëm propagande për atë kohë.
Udha tashmë ishte çelur. Edi krenohej të nesërmen e publikimit të revistës së përmuajshme duke thënë: “e shikoni sa bukur e kam vizatuar”, duke marrë uratat e përgëzimet e sa e sa njerëzve të këtyre punëve. Por armiq ai filloi të shihte kudo, edhe brenda ekipit ku hidhte topin drejt koshit. Ndonjëherë nuk përtonte të kafshonte edhe veshë shokësh.


1988/Kristaq Rama firmosi vendimin me vdekje në litar për Havzi Nelën

“Armik i betuar i pushtetit popullor”. Ky është motivi i vetëm që Presidiumi i Kuvendit Popullor, me vendimin nr.85, datë 16 korrik 1988 ka vendosur të dërgojë në litar poetin Havzi Nela i dënuar për herë të fundit nga regjimi komunist. Vendimi me formë të prerë i Gjykatës së Lartë, i është dërguar Presidiumit të Kuvendit Popullor për vendimin përfundimtar, anëtarët e së cilit duke mos qenë të mbledhur të gjithë, kanë firmosur vendimin për ekzekutimin me varje në litar të poetit. Për ata që kanë harruar po kujtojmë se Presidiumi i Kuvendit Popullor ishte një organ kolegjial që luante rolin e kryetarit të shtetit. Ai dilte nga gjiri i Kuvendit Popullor (deputetët), përbëhej nga 15 anëtarë, nga të cilët 3 nënkryetarë dhe një sekretar.
Ky vendim nuk ka votat e shumicës, por është firmosur vetëm nga disa anëtarë të tij si dhe nga vota me telefon e anëtares Emine Guri e cila është shprehur dakord. Të tjerët kanë firmosur. Disa nuk kanë qenë. Nga ata që kanë nënshkruar janë: Rita Marko (nënkryetar), Sihat Tozaj, Eleni Selenica, Kristaq Rama, Lumturi Rexha dhe Rahman Hanku. Ky vendim që nuk ka marrë shumicën ka çuar në litar poetin Nela.
Kristaq Rama, deputet i Durrësit prej shumë vitesh, në vitet 1987 – 1991 ishte edhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Votimet e tij, në Presidium janë edhe në vendime të tjera për çështje të tilla. Ndoshta ky fakt është një arsye më shumë që partia e Edi Ramës ka frikë nga publikimi i dosjeve të diktaturës dhe e të vërtetave brenda tyre.

...

 Komente

Ligji duhet te nxirret deri ne dy breza. Sepse si mund te perfaqesoji shtetin antikomunist te sotmen diana culi me shoke e shoqe te shumte si trashegimtare te ish kryekriminelave te komunizmit? E pakonceptueshme.
Postuar nga besim ne daten 12-01-2009

Emri:
E-mail:
Komenti:
Kodi: Shkruani kodin qe shihni me larte...

 
Webmaster LJC-DESIGN   .:|:.   Editor Online: Leonard Quku