Në revistën “Në shërbim të popullit” vizatimet tij tregonin luftën kundër “diversantëve të imperializmit amerikan”. Bashkëpunimin e hershëm me regjimin enverist ai e konsideron si trashëgimi e sot po shfaqet sërish në mision, teksa shpall nismat hipokrite kriptokomuniste “përtej së majtës e së djathtës” apo “politika e re”
Atë ditë studenti Edi Rama, ishte tej mase i gëzuar. Atë ditë të ftohtë nëntori 1983, i kërrusur për shkak të gjatësisë e brishtësisë së moshës, duke ecur në shkallët e redaksisë së revistës “Në shërbim të popullit” – organ i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai mbante në duar vizatimin e tij që lustronte shkrimin e një autori mbi një ngjarje me diversantë të quajtur “Shokë lufte”.
Ishte vetëm 20 vjeç kur kishte nisur të mallëngjehej tej mase nga tregimet me punëtorë operativë, diversantë, shkelës kufiri, armiq të klasës, etj. Përditë ai dëgjonte nga babai i tij që ishte dhe deputet për fitoret e lavdishme të Partisë së Punës dhe udhëheqësit të saj legjendar, shokut Enver.
“Duhet të kontribuoj edhe unë, kudo që të jem” - thoshte ai vazhdimisht.
Këto tregime sa vinin e i forconin urrejtjen ndaj armikut të klasës, për të cilin edhe ai ndjehej i sigurt se duhej goditur.
Dhe kështu djaloshi problematik i Institutit të Lartë të Arteve, përveç punëve të tjera, nisi të bëjë vizatime për heroin e heshtur, për punëtorin e palodhur operativ, diversantët, etj.
Tregimi i botuar në revistën e MPB-së nën ilustrator, ishte një rast tipik i urrejtjes ndaj të huajve të kategorizuar si “imperialistë”, ku në radhë të parë ishin amerikanët.
Sipas tregimit “imperialistët amerikanë” kishin përgatitur “diversantët shqiptarë” të cilët i kishin hedhur në një shtet kufitar me Shqipërinë. “Mersin F.” Në tregim quhej “asi i shërbimit të huaj”. Tregimi nis me “shpjegimin në hetuesi” të një “diversanti” e vazhdon me hollësi të tjera, sipas mendimit tonë të panevojshme për t’u përsëritur.
Edi Rama është entuziazmuar nga kjo. Ka marrë lapsin (apo penelin) dhe ka hedhur në kartë dy pjesëtarë të forcave të ndjekjes që ndiqnin “diversantët” që dërgonte “imperializmi amerikan”. Përballë figurave të vrazhda të dy ndjekësve, qëndronin “hijet e zeza” të “diversantëve” të dërguar nga amerikanët që paraqiteshin më të zinj se nata pasi ato donin të prishnin “parajsën socialiste”.
Pikërisht këtu e ka nisur edhe kontributin në fushën e “medias”, kryetari i sotëm i Partisë Socialiste, ish-basketbollisti i “Dinamos”, Edi Rama. Dhe jo media dosido, por në organin që ishte nomenklaturë e Sigurimit të Shtetit dhe një mjet i fuqishëm propagande për atë kohë.
Udha tashmë ishte çelur. Edi krenohej të nesërmen e publikimit të revistës së përmuajshme duke thënë: “e shikoni sa bukur e kam vizatuar”, duke marrë uratat e përgëzimet e sa e sa njerëzve të këtyre punëve. Por armiq ai filloi të shihte kudo, edhe brenda ekipit ku hidhte topin drejt koshit. Ndonjëherë nuk përtonte të kafshonte edhe veshë shokësh.
E vijmë në kohët moderne, kur Edvini tregon përditë se s’është ai i politikës së re, ai i përpjekjeve “përtej së majtës e së djathtës”, por është thjesht një pinjoll i institucioneve të enverizmit, një bashkëpunëtor i hershëm i institucioneve propagandistike të Sigurimit të Shtetit e në fund të fundit një uzurpator i llogoreve të politikës pluraliste.
|  Komente |