Ministri Lulzim Basha garanton zbardhje të “provave” të denoncuara nga PS
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka komentuar veprimin e Gramoz Ruçit të dy ditëve më parë në parlament, i cili deklaroi se PS disponon fakte të plota të manipulimit të zgjedhjeve, duke publikuar disa karta identiteti të falsifikuara. Sipas ministrit të Brendshëm Basha, deklaratat e Ruçit dhe të çdo eksponenti të PS-së, janë përpjekje për mashtrim, pasi siç u shpreh ministri, kartat e identitetit janë një proces që dalin nga një sistem 100% i sigurt. Gjithashtu, ministri i Brendshëm deklaroi për hetim të plotë nga dikasteri që ai mbulon, por edhe nga çdo agjenci tjetër shtetërore kompetente, ndaj denoncimeve të PS-së, për kartat e identitetit.
“Gramoz Ruçi paraqiti disa karta identiteti për të njëjtin person dhe kjo është plotësisht e mundur nëse personi ka denoncuar se i ka humbur karta ose i nxitur nga dëshira për të pasur sa më shumë karta identiteti vendos të investojë në më shumë se një kartë identiteti, ose nëse komisari politik, me një përpjekje të dështuar, për të provuar diçka që nuk ekziston, ka paguar për më shumë se një kartë identiteti për një qytetar, kjo është plotësisht e mundur, por ama në çdo kartë identiteti emri, mbiemri dhe numri i identifikimit të shtetasit është unik. Mbrëmë nuk ishte vendi, por sot e sfidoj zotin Ruçi të paraqesë 2 karta identiteti të të njëjtit person me numra të ndryshëm identiteti. Dhe nëse diçka e tillë ekziston, absolutisht do të jetë objekt i ndjekjes së menjëhershme si vepër penale. Do të jetë menjëherë objekt i një ndjekje penale nga Ministria e Brendshme dhe nga agjencitë e tjera kompetente të pushtetit”, u shpreh ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Seancën parlamentare të ditës së enjte, PS e shfrytëzoi për të bërë një denoncim të sajuar vetë, me disa karta identiteti të falsifikuara të disa qytetarëve nga Dibra, Korça dhe komuna e famshme e Ruzhdijes.
Menjëherë erdhi reagimi i shumicës parlamentare, përmes kryeministrit Sali Berisha, por edhe të institucioneve përgjegjëse, duke hedhur poshtë çdo mundësi falsifikimi të dokumenteve biometrike, përveç ndonjë rasti të mundshëm të një ndërhyrje politike përmes ryshfeteve që dyshohet se Ruçi dhe bashkëpunëtorët e tij në PS, të kenë thyer ligjin, duke i ngarkuar vetes një kosto të rëndë ligjore. Angazhimi institucional i ministrit Basha dhe i të gjitha njësive hetimore, pritet të zbardhë ato pseudo-fakte të Gramozit të PS-së, por jo vetëm kaq. Problemet shtohen edhe për Taulant Ballën dhe kazinonë e tij të preferuar që dyshohet se hodhi në tregun e politikës së baltosur, ato “prova” që publikoi Mozi i PS-së.
...|  Komente |