Përbindëshi i së majtës ka marrë formë dje kur deputetët janë katapultuar me sms-të e Ramës që të paraqiten në parlament vetëm një orë e më pas të largohen, pa u administruar as kërkesa e tyre për nisjen e hetimit për zgjedhjet
Opozita shqiptare e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ka njohur dje për herë të parë pas 6 muajsh legjitimitetin e saj. Pas një sjellje të gjatë destruktive dhe me kërcënime skenarësh të rrezikshëm për vendin, nëse nuk realizoheshin kërkesat e pajustifikueshme, PS dërgoi dje 64 mandatet e veta në Kuvendin e Shqipërisë, për të bërë betimin e vonuar, përballë Kushtetutës.
Me hyrjen në parlament, PS njeh juridikisht institucionet dhe mandatet e certifikuara nga zgjedhjet e 28 qershorit dhe se çdo sjellje tjetër tekanjoze dhe tendencioze është e patolerueshme për një shtet aspirant për proceset e integrimit dhe me një rend të stabilizuar demokratik. Bazuar në nenin 4 pika 4 të rregullores së Kuvendit, deputetët socialistë u betuan si të zgjedhurit e popullit në 28 qershor pas 6 muajsh mungesë në Kuvend. Vendimi për hyrjen në parlament, u mor vetëm dy ditë më parë, menjëherë pas vizitës së Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, por edhe me afrimin e afateve kushtetuese që është as më shumë e as më pak, por seanca e 4 marsit. Futja e PS në Kuvend, e bën të panevojshëm diskutimin e afatit Kushtetuese, pasi mandatet u shpëtuan dhe opozita përfaqësohet në tempullin më të lartë ligjvënës nga deputetet e saj.
Megjithatë, ende nuk është e qartë se nëse PS do të vijojë të marrë pjesë rregullit në punimet e Kuvendit të Shqipërisë, por ajo që vlen të theksohet se me thyerjen e bojkotit është vetëm hapi i parë i institucionalizimit të PS-së dhe respektimit nga ana e saj e standardeve ligjore dhe mos prekjen e vendimeve që i takojnë pushtetit gjyqësor. Drafti i depozituar në Kuvend nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS, është as më shumë e as më pak, por thjesht një farsë për të justifikuar rikthimin në kuvend, me një arsye konkrete dhe për të prerë llogaridhënien se pse opozita u mbajt jashtë mureve të sallës së Kuvendit, për 7 muaj resht.
|  Komente |