1990/Demonstratat e korrikut dhe vrasja e Josif Budos

Tuesday, 10 July 2018 18:20

Nga Kastriot Dervishi

Paralelisht me ngjarjet e ambasadave në Tiranë, u zhvilluan disa ngjarje të tjera në Kavajë. Në qytetin ku lëvizja antikomuniste kishte shtratin e vet të natyrshëm. Demonstratat antikomuniste të 25-26 marsit 1990 u pasua nga ajo e 3 korrikut të këtij viti. Në Kavajë u dërguan forca speciale të cilat nisën veprime të dhunshme ndaj qytetarëve. Ndoshta duket si e çuditshme por në atë kohë, forcat speciale krejt pa arsye rrëmbenin djemtë nëpër rrugët e Kavajës, i qethnin zero, i rrihnin e pastaj i lëshonin. Kjo lloj sjelljeje e kishte bërë gjendjen në Kavajë midis data 3-10 korrik shumë të acaruar. Nëpër qytet vareshin shumë të rinj të qethur të cilët kishin marrë në një farë mënyre “damkën” se ishin “armiq të partisë”. Duke shtuar edhe faktin se në Tiranë po zhvilloheshin ngjarjet e ambasadave, situata në Kavajë përballë një qyteti antikomunist nuk mund të kontrollohej në asnjë rrethanë. Nervozizmi që kishte rrëmbyer regjimin ishte i madh. Kjo për një fakt të thjeshtë: nuk mund të vinte nën kontroll situatën. Për këtë arsye, ai përpiqej që atë që po ndodhte në Kavajë përcillte pikësëpari si çështje rendi publik. Kulmi i ngjarjeve të Kavajës ishte vrasja e Josif Budos më 10 korrik 1990 dhe varrimi i tij një ditë më pas. Procesi gjyqësor për vrasjen e Josif Budos u zhvillua brenda ditës në Durrës më 20 shtator 1990. Gjyqin e drejtoi Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë duke pasur pranë një prokuror ushtarak të Prokurorisë së Përgjithshme. Të pandehur ishin marrë një polic i akuzuar për shpërdorim detyre si dhe dy efektivët e repartit nr.326. Polici akuzohej për vrasje, ndërsa dy efektivët për shpërdorim detyre. Vendimi që u mor ishte i formës së prerë. Në bazë të nenit 83 të Kodit Penal, polici vrasës u dënua me 20 vjet burg (i akuzuar për “vrasje të thjeshtë”), ndërsa dy sambistët u dënuan me kohën e paraburgimit. Në përfundim të gjykimit, një oficer policie dhe dy nënoficerë ishin revoltuar ndaj vendimit të gjykatës, duke e quajtur të padrejtë atë.

 

Ekstrakt nga informacioni i Hetuesisë së Rrethit të Durrësit, datë 14.7.1990:

(Në këtë material vihet re edhe gjuha zyrtare e regjimit i cili është munduar që këto ngjarje t’i artikulojë si të bëra nga “vagabondë e rrugaçë”, etj).

Më 10.7.1990 organet e policisë së rrethit të Durrës në bashkëpunim me repartin 326 të policisë së Tiranës, do të kryenin në qytetit e Kavajës veprime spastrimi (krehje siç e quajnë ata) ndaj elementëve vagabondë e huliganë që kishin shkaktuar trazirat e datës 4.7.1990 në këtë qytet. Gjatë datë 10.7.1990 forcat e policisë kanë vepruar në qytetin e Kavajës dhe në plazhin e Golemit dhe në mbrëmje të kësaj date rreth orës 21.00, ka ndodhur përleshje deri në përdorimin e armës, midis forcave të policisë dhe qytetarëve të qytetit ku gjeti vdekjen nga goditja me armë shtetasi Josif Budo, me moshë 21 vjeç, si dhe është plagosur edhe i vëllai i tij po me armë. Nga hetimet e kryera deri tani për këtë ngjarje është vërtetuar se veprimet e repartit të policisë, sidomos të sampistëve të ardhur nga Tirana, kanë qenë brutale dhe të kundërligjshme. Janë marrë 40 të rinj të moshave 15-19 vjeç, shumica të pafajshëm dhe janë dërguar në policinë e Durrësit, duke i rrahur me shkopinj gome e duke i qethur me forcë. Gjithashtu, gjatë kryerjes së këtyre veprimeve, kanë fyer dhe rrahur mjaft qytetarë krejtësisht të pafajshëm që kanë gjetur në rrugë, lokale, ose vendshplodhje... Këto veprime në tërësi indinjuan jo vetëm të afërmit e personave, ndaj të cilëve u ushtrua dhuna, por edhe shumë qytetarë të thjeshtë, komunistë e njerëz të ndershëm, që i kanë parë këto veprime. Në përleshjen e ndodhur në orën 21.00 nga forcat e policisë janë përdorur qitjet me pistoletë dhe është vrarë dhe plagosur me armë qytetarët e mësipërm. Nga ana tjetër, populli i revoltuar ka goditur me gurë e tulla forcat e policisë dhe një masë e mase, prej 6-7 mijë vetash të mbështetur edhe nga disa mijëra të tjerë kanë dalë më 11.7.1990 për në varrimin e të vrarit ku gjatë rrugës kanë hedhur parulla të shumta si “duam gjak, hakmarrje, liri-demokraci, poshtë pushteti, po bëhet si te serbi e në Kili”, etj, parulla kundër udhëheqjes kryesore të partisë. Pas varrimit kanë sulmuar me gurë ndërtesën e policisë dhe të Komitetit të Partisë së Kavajës ku kanë thyer të gjitha xhamat e ndërtesës së Komitetit e të automjeteve dhe të gjithë njësive të shërbimit në dy anët e rrugës, ndërsa mjetin e sekretarit të parë të rajonit e kanë djegur. Këto veprime janë kryer nga një masë e veçuar të rinjsh, kryesisht nga ata të moshës 12-13 dhe deri 17 vjeç, të mbështetur me brohoritje nga pas nga turma e njerëzve. Gjatë kryerjes së këtyre veprimeve, nga ana e popullit janë hedhur dhe përkrahur në formë kori parullat e mësipërme.

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Krime makabre, ja 7 vrasësit serialë më të frikshëm të botës

Aktualitet

Krime makabre, ja 7 vrasësit serialë më të frikshëm të botës

Vrasësit serikë janë ata persona, të cilët masakrojnë njerëz për kënaqësi personale Ju njohim me 7 vrasësit serikë, të shumëpërfolur në botë: 1. Amardeep Sada Është vështirë të besohet, por Amardeep Sada është...

BBC: Maurizio Sarri, historia e bankierit që do të drejtojë Chelsea-n

Sport

BBC: Maurizio Sarri, historia e bankierit që do të drejtojë Chelsea-n

Duhet ta falni Antonio Konten nëse të premten e shkuar u ndie sikur po përsëritej historie. Fundja, nuk është hera e parë që pushohet dhe zëvendësohet nga Maurizio Sarri. Pasi u...

Si në filma/ Zbulohet plani për të ekzekutuar kryeministren britanike

Globi

Si në filma/ Zbulohet plani për të ekzekutuar kryeministren britanike

Autoritetet britanike kanë parandaluar një atentat të planifikuar ndaj kryeministres britanike Theresa May. Siç raportojnë mediat, 20-vjeçari Naa’imur Rahman u arrestua nga policia para se të vinte në zbatim planin e...