Gazmend Leka sjell ciklin “Lutja” me 24 piktura në galerinë FAB

E mërkurë, 03 October 2018 10:27

Piktori i njohur Gazmend Leka nesër në galerinë e artit FAB me ekspozitën personale “Lutja”. I njohur në aktivitetin e tij krijues, këtë herë piktori Gazmend Leka vjen me një tjetër cikël në pikturë. I fundit që prezantoi për publikun ka qenë cikli me piktura “Taso”, ndërsa këtë herë vjen me 24 piktura të reja në ekspozitën “Lutja”. Në shkrimin shpjegues për ekspozitën kuratori dr. Ermir Hoxha shkruan se në heshtjen tonë, ne të gjithë lutemi, për shëndetin e trupit e më së shumti, lutemi për shëndetin e shpirtit. “Lutja është një akt i gjatë që kryhet në vetmi të plotë. Në shurdhërinë e hapësirës, si për të gjithë ne, ashtu dhe për artistin, ajo është kredhja në një dimension tejet personal, ku rregullat dhe arsyeja tokësore bëhen të pafuqishme e përthyhen”, shkruan Ermir Hoxha, kurator i ekspozitës në galerinë FAB. Për kuratorin lutja është një akt i thellë shpirtëror, para se të ngjizet vepra. “Është shpërthim që paraprin mpiksjen e imazhit mbi sipërfaqen e bardhë sterile. Penelat, telajot, tavoloci i stërmunduar të gjitha janë aty, gati për t’u sakrifikuar. Ta flasësh e ta përflasësh atë, është gjithnjë e vështirë. Pavarësisht bisedave të gjata me artistin, në momentin fundor, logjika të bën të kuptosh, që ajo është një territor metafizik, që nuk duhet prekur, por si pa kuptuar, ajo bëhet e vërtetë për të gjithë ne. Duket sikur artisti krijon gjithçka nga hiçi, pasi krijimin vërtet e paraprin heshtja e madhe. E gjatë sa një fraksion sekonde, apo sa një përjetësi, artisti dhe objektet që e rrethojnë, humbasin gravitet. Ato ngrihen nga dimensioni tokësor, për t’u rigjetur në një nivel të ri metafizik, ku marrëdhënia me hapësirën dhe hyjnoren, ngjizen përfundimisht ndryshe”, shkruan dr. Hoxha në tekstin kuratorial. Për kuratorin ekspozita me 24 piktura në galerinë FAB i dedikohet kësaj heshtjeje të madhe.  “Të gjitha tablotë janë vegime imagjinare, shpirtërore, të një bote metafizike, të atij fraksioni kohe, para ngjizjes. Secila prej tyre është metafora e vdekjes së artistit. Është harxhimi i përditshëm i qenies. Është një dialog i gjatë e i pandërprerë, një shkarkim i madh. Vdes brenda, për t’u ringjallur jashtë”, thotë kuratori.

 

“LUTJA”

Teksti kuratorial

Në heshtjen tonë, ne të gjithë lutemi. Lutemi për shëndetin e trupit e më së shumti, lutemi për shëndetin e shpirtit.
LUTJA është një akt i gjatë që kryhet në vetmi të plotë. Në shurdhërinë e hapësirës, si për të gjithë ne, ashtu dhe për artistin, ajo është kredhja në një dimension tejet personal, ku rregullat dhe arsyeja tokësore bëhen të pafuqishme e përthyhen.
LUTJA është akti përgatitor para kryerjes së një riti antik, që ndoshta zë fill që nga muret e errëta të shpellave prehistorike.
LUTJA është akti i murgjve, para pikturimit të ikonave, për t’i bekuar ato me frymë krijimi.
LUTJA është një akt i thellë shpirtëror, para se të ngjizet vepra. Është shpërthim që paraprin mpiksjen e imazhit mbi sipërfaqen e bardhë sterile. Penelat, telajot, tavoloci i stërmunduar… të gjitha janë aty, gati për t’u sakrifikuar.
Ta flasësh e ta përflasësh atë, është gjithnjë e vështirë. Pavarësisht bisedave të gjata me artistin, në momentin fundor, logjika të bën të kuptosh, që ajo është një territor metafizik, që nuk duhet prekur, por si pa kuptuar, ajo bëhet e vërtetë për të gjithë ne.

Duket sikur artisti krijon Gjithçka nga Hiçi, pasi krijimin vërtet e paraprin Heshtja e Madhe. E gjatë sa një fraksion sekonde, apo sa një përjetësi, artisti dhe objektet që e rrethojnë, humbasin gravitet. Ato ngrihen nga dimensioni tokësor, për t’u rigjetur në një nivel të ri metafizik, ku marrëdhënia me hapësirën dhe hyjnoren, ngjizen përfundimisht ndryshe.
Kjo ekspozitë i dedikohet kësaj Heshtjeje të Madhe. Aty, si në një manifest artistik, pesha e arsyes dhe trupi i artistit, përhumben në një perspektivë personale, ndërkohë që studioja kthehet në tempullin e tij vetjak. Ai është aty, i vetëm, me personazhe reale e irreale, me miq e demonë, erën e vajit të linit dhe tingujt e muzikës. Mes rrëmujës së përhershme, ato ngatërrohen e përzihen njëra me tjetrën. Në mes të kësaj rrëmuje, i përulur, fanitet imazhi i tij, që endet i vetmuar në studio, i përndjekur shpesh nga imazhi i fundmë i një varri fantazmë, apo nga një hije-kryq “i rastësishëm”, gjithë-përfshirë në një dimension shpirtëror të thellë, tërësisht i zhveshur nga çdo gjë materiale, si në një rit shamanik, ku qiellorja dhe tokësorja bëhen njësh.

Të gjitha tablotë janë vegime imagjinare, shpirtërore, të një bote metafizike, të atij fraksioni kohe, para ngjizjes. Secila prej tyre është metafora e vdekjes së artistit. Është harxhimi i përditshëm i qenies. Është një dialog i gjatë e i pandërprerë, një shkarkim i madh. Vdes brenda, për t’u ringjallur jashtë.
Kjo ekspozitë, është një reflektim në vetë të parë i aktit shpirtëror të krijimit, në habitatin e vet, si një bunacë shurdhe para një stuhie të egër.
Është autoportret i brendshëm, intim, tejet sekret, i ngjizur në 24 piktura, si 24 copëza të një mozaiku ekzistencial.
Leka e ka konsideruar veprën e tij gjithnjë si një akt të gjatë lutjeje, që: “… fillon çdo ditë me lindjen e diellit”. E shkruar, që në vitin e largët 1994, ajo mbetet ende sot e pandryshuar, si përkufizim dhe udhërrëfyes i njërës prej krijimtarive më të vrullshme të kohës që jetojmë.
Në rrjedhën e shumë ekspozitave personale: “Black Box”, “Kutia e Zezë e Qenies”, “Ikarus”, “Simbolon”, “Molla”, “Natura Morta” dhe së fundmi “Taso”, lutja, për herë të parë, nuk i drejtohet më një teme të caktuar, porse ofrohet si një vështrim i krijuesit në dimensionin e vet më shpirtëror, zhytur thellë në habitatin e tij, si prifti i lartë i qytetërimeve të para, në kërkim të gjuhës së vjetër, për të vazhduar atë dialog që nisi në gjenezë të kohës.

Dr. Ermir Hoxha
Shtator, 2018

 

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Të martën përgatituni për ndryshimin drastik të motit në Shqipëri

Aktualitet

Të martën përgatituni për ndryshimin drastik të motit në Shqipëri

Teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës përballen me një dimër të parakohshëm, me reshjet të dendura dëbore që deri më tani ka shkaktuar të paktën 8 viktima, edhe Europa duket...

Penallti dhe Skocia e mbyll pjesën e parë me avantazhin e 2 golave

Sport

Penallti dhe Skocia e mbyll pjesën e parë me avantazhin e 2 golave

Skocia e ka mbyllur 2-0 përballjen në Loro Boriçi përballë Shqipërisë. Në minutën e 45’ ishte Fletcher ai i cili mposhti nga pika e bardhë e penalltisë portierin.

Kosova, sukses me 5 yje me Maltën

Sport

Kosova, sukses me 5 yje me Maltën

Përfaqësuesja kosovare e futbollit dominoi totalisht në transfertën e mbyllur 0-5 në Valeta kundër Maltës, në një ndeshje që i dha 3 pikë të rëndësishme në Ligën e Kombeve. Përballja në...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!