Pas PD, Zëri i Amerikës: “Rulota” politike me lojërat e fatit në Shqipëri

Premte, 14 September 2018 18:23

Industria e lojërave të fatit në Shqipëri ka rritur me 25 për qind të ardhurat dhe 68 për qind fitimet vetëm në dy vitet e fundit, ndërkohë që raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit tregojnë se ekspansioni ekonomik ngrihet mbi informalitetin e lartë dhe tolerimin prej Autoriteteve Mbikëqyrëse.

Debati mbi lojërat e fatit u rikthye në Kuvendin e Shqipërisë, pasi mazhoranca rrëzoi të enjten një dekret të presidentit Ilir Meta, me anë të së cilit u kthye pas një ndryshim i propozuar në ligjin “për tatimin mbi të ardhurat”, ku përfshihej edhe Lotaria Kombëtare.
Në fund të korrikut, presidenti refuzoi të dekretonte nenin 6 të ligjit, me argumentin se favorizonte sërish industrinë e lojërave të fatit në dëm të buxhetit të shtetit dhe familjeve shqiptare.
Qeveria i kundërshtoi argumentet e Metës si keqkuptime, ndërsa mohoi të kishte ulur normën e tatimit ndaj kompanive të lojërave të fatit.

​Industria e lojërave të fatit është një temë e ndjeshme në Shqipëri, pasi përmes lobingjeve ia ka dalë të ndikojë vazhdimisht politikën në favor të rritjes së fitimeve në njërin prej vendeve më të varfra të Europës. Në përplasjen e fundit mes presidentit dhe qeverisë, duket se të dyja palët kanë pjesërisht të drejtë.
Qeveria e drejtuar nga Rama e uli barrën fiskale për kompanitë e lojërave të fatit që me miratimin e ligjit të ri në vitin 2015. Baza e tatimit ndryshoi nga xhiroja tek të ardhurat bruto, të cilat u përkufizuan në ligj si vlera që u mbetej kompanive pas zbritjes së shumës së fituar nga lojtarët.
Efektet e financiare të këtij ndryshimi reflektohen në bilancet e kompanive të lojërave të fatit.
Të dhënat e siguruara nga Zëri i Amerikës tregojnë se tregu i lojërave të fatit ka shënuar rritje me 25 për qind të të ardhurave dhe 68 për qind të fitimeve nga viti 2015 deri në fund të vitit 2017.
Vetëm në vitin 2017, shqiptarët shpenzuan mbi 16.2 miliardë lekë [148 milionë dollarë] në tregun e bixhozit, i cili zotëron mbi 4 mijë pika të shpërndara në çdo cep të vendit dhe ndahet mes 20 kompanive të licensuara nga Autoriteti Mbikëqyrës.

Analiza financiare tregon megjithatë se 85 për qind e tregut kontrollohet tashmë nga vetëm pesë kompani kryesore.

Operatori më i madh i lojërave të fatit është kompania austriake Novomatic AG, e cila ka një shtrirje të gjerë në vendet e Ballkanit. Në Shqipëri, Novomatic zotëron përmes kompanive bijë Lotarinë Kombëtare dhe kazinotë elektronike Asta Albania dhe Adriatik Game. Vetëm për vitin 2017, ato realizuan së bashku të ardhura me vlerë 4.6 miliardë lekë dhe fitime prej 526 milionë lekësh.
Kompania e dytë me të ardhurat më të larta është Apex Al, e cila së bashku me operatorin e tjetër të zotëruar prej saj, VLT Albania, realizuan mbi 3.5 miliardë lekë në tregun e kazinove elektronike. Apex është kompania me fitimet më të larta të deklaruara për vitin 2017 në vlerën e 2 miliardë lekëve ose rreth 60 për qind të të ardhurave.
Kompanitë e basteve sportive janë rrudhur nga 5 në 3 gjatë viteve 2015-2018. Kompanitë e mbetura në treg, Top Start, Lloto Sport dhe I.T.S.G.A realizuan së bashku të ardhura me vlerë 5.8 miliardë lekë, nga të cilat 88 milionë lekë fitime në 2017.
Ndërsa 15 operatorët e tjerë ndajnë mes tyre më pak se 15 % të tregut.
Të dhënat e siguruara nga Zëri i Amerikës tregojnë se paratë e fituara në tregun e bixhozit investohen kryesisht në biznesin e ndërtimit në Shqipëri, por edhe në sektorin e telekomunikacionit apo këmbimin e valutës. Dokumentet gjyqësore tregojnë gjithashtu se personazhe të përfshirë në krimin e organizuar në të shkuarën zotërojnë aksione në kompani bastesh, në kundërshtim me ligjin.
Informalitet i lartë

Industria e lojërave të fatit ishte një kalë beteje i fushatës elektorale të vitit 2013, që solli në pushtet kryeministrin Edi Rama. Operacioni i parë i qeverisë së tij, “Fundi i Marrëzisë” targetoi tregun e paligjshëm të lojërave të fatit dhe në vitin 2015, qeveria miratoi një ligj që u prezantua si radikal për frenimin e kësaj industrie.
Ligji parashikon zhvendosjen e kazinove nga qendrat e qyteteve, distanca deri në 100 metra mes kompanive të basteve sportive si dhe rritje të tarifave që supozohet të shkojnë për zhvillimin e turizmit, kulturës dhe sporteve.
Por qeveria ndryshoi kurs në vitin 2016 dhe e shtyu zbatimin e ligjit me dy vjet. Të enjten në Kuvend, ministri i Financave, Arben Ahmetaj premtoi se nuk do të ketë më shtyrje.

Por zotimi për zhvendosjen e kazinove elektronike nuk i jep përgjigje morisë së paligjshmërive që mbizotërojnë në këtë sektor.
Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon se informaliteti në sektorin e lojërave të fatit vazhdoi të ishte i lartë gjatë viteve 2015 dhe 2016, ndërsa pajisjet e konfiskuara në adresat dytësore të palicensuara ishin tre herë më shumë se sekuestrimet e operacionit “Fundi i Marrëzisë”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit nxjerr gjithashtu në pah faktin se që Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit ka bërë një sy qorr ndaj kompanive të kapura në shkelje. Në 90 për qind të rasteve të konfiskimeve, sipas auditit, inspektorët nuk i identifikuan organizatorët e lojërave të palicensuara, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej më shumë se 50 miliardë lekësh në vitet 2015-2016.
Një dëm shtesë prej 14.3 milionë lekësh, sipas KLSH-së u shkaktua nga mungesa e mbledhjes së kamatëvonesave të gjobave.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka listuar një mori tolerimesh të tjera për industrinë e lojërave të fatit, të cilat nuk i kanë paguar ndonjëherë detyrimet ligjore prej 0.2 për qind të xhiros për të ashtuquajturat vepra të mira, apo me raste kanë shmanguar edhe tarifën prej 0,5 për qind të xhiros ndaj Autoritetit Mbikqyrës.
Në fund, KLSH ka ngritur dyshime për pastrim parash përmes shit-blerjes së aksioneve në këtë sektor dhe i ka kërkuar Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit që t’ia referojë rastin Drejtorisë së Pastrimit të Parave.

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

VIDEO / Si mund të humbet një rast i tillë! Luliç bën gafën e vitit

Sport

VIDEO / Si mund të humbet një rast i tillë! Luliç bën gafën e vitit

Nëse ekziston një çmim për “Golin e vitit”, atëherë duket të ekzistojë një çmim edhe për “Gafën e vitit” dhe të keni të sigurt se atë do ta fitojë Senad...

FOTOT/ 9 të famshëm që refuzuan role simbolike dhe humbën shansin e madh

Kulturë

FOTOT/ 9 të famshëm që refuzuan role simbolike dhe humbën shansin e madh

Shumë filma do të kishin qenë ndryshe me aktorë të tjerë. Disa aktorë i refuzuan shumë role simbolike për arsye të ndryshme si angazhimet në një tjetër projekt filmik ose...

“Shqipëria po i afrohet një diktature, krimi është lënë në bordurë”

Politikë

“Shqipëria po i afrohet një diktature, krimi është lënë në bordurë”

Deputeti Dashamir Shehi shprehet se Shqipëria po i afrohet një diktature dhe se krimi është lënë në bordurë. Ai shton se, opozita do të hyjë në zgjedhje dhe do t'i...